JSN Teki - шаблон joomla Оригами

Kjo ligjëratë, o vëllezërit e mi fisnikë, me temën e kërkimit të faljes për mëkatet tona, është njëra prej temave më të rëndësishme që një musliman duhet t’i kushtojë vëmendje në jetën e tij dhe për të cilën ai duhet të brengoset më së shumti. Në këtë ligjëratë përfshihen edhe shumë shpjegime sa i përket mënyrave të kërkimit të faljes, duke u mbështetur në sunetin e Pejgamberit, salallahu alejhi ue selem. E lus Allahun që kjo të jetë e dobishme dhe bekim për ne.

Ka shumë ajete në Librin e Allahut të Lartësuar si dhe hadithe nga i Dërguari i Tij, salallahu alejhi ue selem, që na inkurajojnë për të kërkuar falje: ka tekste që e urdhërojnë këtë gjë, duke treguar se sa e mrekullueshme është kjo gjë, duke treguar për epërsinë e njerëzve që kërkojnë faljen e që në mënyrë të vazhdueshme e bëjnë këtë gjë. Në fakt, ka aq shumë tekste të tilla sa që do të ishte shumë e vështirë për t’i numëruar të gjitha. Një prej tyre është fjala e Allahut të Lartësuar në Kur’an: “Kthehuni te Zoti juaj dhe përuljuni Atij para se t’u vijë dënimi, se pastaj nuk do të ketë kush t’ju ndihmojë.” (Ez-Zumer: 54)

Disa prej selefëve kanë thënë se ky ajet i Librit të Allahut, është prej atyre ajeteve që i jep më shumë shpresë atij që kërkon falje. Për më tepër, Allahu i Lartësuar, për të inkurajuar në kërkimin e faljes, dhe për ta bërë të qartë epërsinë e kërkimit të faljes si dhe për frutat e tij në këtë botë dhe në botën tjetër, i referohet asaj që ka thënë Nuhu, alejhi selam: ”Unë u thashë: “Kërkojini falje Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj.” (Nuh: 10-12)

Ky ajet i mrekullueshëm premton një numër të madh të përfitimeve dhe jep një mësim të rëndësishëm për ata që kërkojnë falje dhe për ata që në mënyrë të vazhdueshme kërkojnë falje për mëkatet e tyre. Këtë mund ta lidhim me një rast kur një njeri erdhi te Hasan el-Basriu, tabi’ini fisnik, dhe iu ankua atij për skamje - varfëri. Ai, Hasan el-Basriu, i tha: “Kërko falje tek Allahu”. Një tjetër njeri erdhi t’i ankohej se nuk kishte fëmijë. Ai i tha: “Kërko falje tek Allahu”. E një njeri tjetër erdhi t’i ankohej për jopjellorësinë e kopshtit të tij. Ai i tha: “Kërko falje tek Allahu”. Më pas ai iu lexoi atyre fjalët e Allahut të Lartësuar: ”Unë u thashë: “Kërkojini falja Zotit tuaj, se Ai vërtet falë shumë; Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj.” (Nuh: 10-12)

Marrë nga libri: ”Kërkimi i faljes”
Botoi: Shoqata Islame ”AL NOUR – DRITA” www.Drita.se
Autor: Shejh Abdur-Rrezak ibën Abdul-Muhsin el-Ebad

Shko lart