JSN Teki - шаблон joomla Оригами

Atëherë kur të fryhet në sur dhe njerëzit të ngrihen nga varret e tyre të frikësuar, ndërmjet tyre do të jetë edhe një grup prej atyre që nuk do të frikësohen1.

Ata do ta largojnë pluhurin nga vetja e tyre duke thënë: Falënderimi i takon Allahut i cili sot e largoi pikëllimin prej nesh. Njerëzit do të ringjallen lakuriq dhe këmbëzbathur, disa do të detyrohen që të ecin me fytyrë në tokë. Allahu i Madhëruar ka thënë:

“...Në Ditën e Kiametit Ne i tubojmë ata duke i tërhequr zvarrë me fytyra përdhé, të verbër, memecë, të shurdhët...”.

(el-Isra, 97)

Disa njerëz do të ecin në mënyrë normale me dy këmbë, e disa do të jenë mbi deve të bardha të cilat do të posedojnë ulëse të arta. Yzengjitë e tyre do të jenë të zbukuruara me gurë të çmuar. Ai do të qëndrojë ulur mbi deve dhe do të vijë pranë dyerve të Xhenetit. Njerëzit e tjerë do të shkojnë në këmbë. Për dallim nga të tjerët që do të jenë të zhveshur, këta do të jenë të veshur2.

Ata nuk do të ndiejnë etje, ndërsa të tjerët do të jenë të etshëm. Ata do të jenë nën hijen e Fronit të të Mëshirshmit, ndërsa të tjerët do të digjen nën diellin përvëlues. Do të hyjnë në Xhenet, ndërsa disa të tjerë do t’ua kalojnë disa të tjerëve për dyzet vite në Xhenet. Njerëzit e tjerë të frikësuar do të qëndrojnë nën nxehtësinë e Diellit përvëlues dhe në nxehtësinë e Ditës së Gjykimit. Dielli do t’iu afrohet kokave të tyre. Drita e tij nuk do të jetë, ndërsa nxehtësia do t’iu zmadhohet vazhdimisht dhjetë vite3.

Njerëzit do të shkrihen në atë nxehtësi të madhe. Nga uria dhe etja do të ndihmohen si asnjëherë më parë, duke pritur momentin e gjykimit vendimtar. Ashtu do të presin dyzet vite. Në disa burime përmenden edhe më shumë vite se këto.

Allahu i Madhëruar asnjërit nuk do t’iu drejtohet me fjalë, e as nuk do të kujdeset për ta. Frika dhe nxehtësia vazhdimisht do të zmadhohet. Atëherë ata do të shkojnë deri te Ademi alejhis-selam duke e lutur që të ndërmjetësojë për ta tek Allahu, ndërsa ai do t’iu thotë: “Unë sot jam i brengosur vetëm për veten time. Shkoni te Nuhu alejhis-selam”. Ata do të shkojnë nga një i Dërguar te një i Dërguar tjetër, ndërsa të gjithë të Dërguarit e Allahut do të jenë të preokupuar me vetveten e tyre. Kështu pra derisa të arrijnë te Muhamedi (salAllahu alejhi ves-selem). Ai do të kërkojë nga Zoti i Tij, e Ai do t’ia lejojë atë vend të ndershëm dhe fisnik. Pastaj do të bie me fytyrë në tokë duke bërë sexhde pranë Arshit, duke kërkuar dhe duke ndërmjetësuar tek Zoti për njerëzit që t’i gjykojë ata. Atëherë Allahu i Madhëruar do të urdhërojë që të vendoset mizani - peshorja dhe të fillojë gjykimi i njerëzve. Ata do të qëndrojnë në atë vend për t’u gjykuar sipas mëkateve të tyre ose sipas veprave të mira të tyre, në atë ditë që do të zgjatë pesëdhjetë mijë vjet4.

Prandaj i lumi ai i cili do të korrë sukses!
_______________________________________________________________

1) Ky është grupi i besimtarëve që janë të afërt me Allahun në krye të të cilëve do të qëndrojnë migruesit e varfër.

2) el-Kurtubi: Kitabut-tezkireh, 201-204.

3) Shih: El-Hafidh esh-Shejbani: Kitabus-sunne, hadithi nr. 813. Albani ka thënë se hadithi është autentik-sahih dhe se është përputhshmëri me kushtet  e Buhariut dhe të Muslimit.

4) Më gjerësisht shih në veprën Sahih hadi el-Evrah Ibn el-Kajjim el-Xheuziut, f. 278-282. Shih edhe Sahih et-Tergib vet-Terhib, hadithi numër 749 dhe shih el-Mustedrek-un e el-Hakimit, hadithi numër 2.430 i cili është autentik sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit. Albani këtë hadith e përmend në veprën e tij Sahihul-Xhami’ me numër 96.

Përgaditur nga:Aktivistët e shoqatës/xhamis "Al Nour Drita" - www.Drita.se 

Shko lart