JSN Teki - шаблон joomla Оригами

Allahu i Lartësuar në librin e Tij fisnik ka thënë:“Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje.” (Ez-Zumer, 62)

Gjithçka përveç Allahut, është krijuar nga ana e Tij, është formuar dhe ka ardhur në ekzistencë, është krijuar pasi që nuk kishte asgjë, pas mosekzistimit, Arshi (Froni) që është mbi të gjitha krijesat dhe ajo që gjendet nën tokë, ajo që gjendet ndërmjet tyre, të gjitha gjë­rat e gjalla dhe jo të gjalla - të gjitha këto janë krijesa të Tij, ato janë në pushtetin e Tij, robër të Tij, nën fuqinë dhe gjithëfuqinë e Tij, mbikë­qy­rjen dhe vullnetin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Është Ai, i Cili krijoi qiejt, Tokën dhe gjithçka që gjendet midis tyre për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fron. Ai është i Gjithëmëshirshmi dhe pyet për Atë ata që dinë.” (El-Furkan, 59)

“Ai di çfarë hyn në tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret nga qielli dhe çfarë ngrihet drejt tij. Ai është Mëshirëploti dhe Falësi.” (Sebe’, 2)

“Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron. Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej qiellit dhe çfarë ngjitet drejt tij. Ai është me ju kudo që të gjendeni; Ai sheh gjithçka që bëni.” (El-Hadid, 4)

Dijetarët muslimanë janë njëzëri në ujdi se Allahu i ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe atë që gjendet ndërmjet tyre për gjashtë ditë, siç e thotë këtë Kurani fisnik, ndërsa në këtë nuk dyshon asnjë musliman. Mospajtime ka rreth asaj se ato ditë a kanë qenë sikurse ditët tona a secila ditë ka qenë sikurse njëmijë vjet siç i numërojmë ne. Ata i kanë dy qëndrime, ashtu siç e kemi për­mendur në ‘Tefsir’.¹ Ata kanë mendime të ndry­shme edhe rreth asaj se a kishte të krijuar diçka para krijimit të qiejve dhe të Tokës. Disa grupe të mutekeliminëve konsiderojnë se para qiejve dhe Tokës nuk është krijuar asgjë dhe se ata janë krijuar prej asgjësë. Të tjerët thonë: “Jo, para kri­jimit të qiejve dhe Tokës kanë ekzistuar krijesa tjera, sipas fjalëve të Allahut të Lartësuar: “Është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, teksa Froni i Tij ndodhej mbi ujë, për t’ju vënë në provë kush është më i mirë në vepra. Nëse ti u thua: “Ju do të ringjalleni pas vdekjes”, mohuesit, me siguri do të thonë: “Kjo nuk është asgjë tjetër, përveçse magji e kulluar!” (Hud, 7)

Në hadithin e Imran ibën Husajnit thuhet: “Ka ekzistuar Allahu, asgjë nuk ka ekzistuar para Tij, Arshi i Tij ka qenë në ujë, gjithçka e ka regjistruar në Shkresë (Dhikër), pastaj i ka kriju­ar qiejt dhe Tokën.”²

Ahmed ibën Hanbeli ka thënë se ebu Ruzejn Lukajt ibën Amir el Ukajli r.a. kishte pyetur: “O i Dërguari i Allahut, ku ka qenë Zoti ynë para se t’i krijojë qiejt dhe Tokën?” Ai, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem u përgjigj: Ai ka qenë në mjegullnajë, mbi të ka qenë ajër, nën të ka qenë ajër, pastaj e ka krijuar Arshin e Tij në ujë.”³

Në versionin tjetër të hadithit prej Hamad ibën Selemes thuhet: “Ku ka qenë Zoti ynë para se t’i krijojë krijesat?...” –ndërsa pjesa tjetër e ha­dithit është e njëjtë. E përmend Tirmidhi dhe tho­të se është hasen.

Ata po ashtu kanë mendime të ndryshme rreth asaj se çka është e krijuar së pari. Disa thonë: “Pena (kalem) është krijuar para të gjitha gjërave.” Ky është qëndrimi i ibën Xheririt, Ibnul Xheuziut dhe i të tjerëve. Ibën Xheriri tho­të se pas penës është krijuar një mjegull e hollë. Këtë e argumentojnë me hadithin, të cilin e për­mend imam Ahmedi, ebu Davudi dhe Tir­mi­dhiu prej Ubade ibën Samitit r.a. i cili kishte thënë: “I Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Gjëja e parë të cilën e krijoi Allahu është pena, pastaj i tha asaj: “Shkruaj!” - dhe atëherë është shkruar ajo që do të ndodhë deri në Ditën e Gjykimit.”

Teksti i hadithit është prej Ahmedit. Tirmi­dhi thotë se ky është hadith hasen-sahih-garib. Shumica e dijetarëve muslimanë e pranojnë thënien e hafëz ebul Ala’ el Hemedaniut dhe të të tjerëve (se Arshi është krijuar para saj /pe­nës/), ndërsa këtë e transmeton edhe ibën Xhe­riri nëpërmjet Dahhakut prej ibën Abasit r.a., në çka tregon hadithi, të cilin e përmend Muslimi në ‘Sahihun’ e tij, ku thotë se Abdullah ibën Amër ibën el Asi r.a kishte thënë: “Kam dëgjuar se i Dërguari i Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem ka thënë: “Allahu i ka shkruar fatet e krijesave para se t’i krijojë qiejt dhe Tokën në pesëdhjetë mijë vjet, ndërsa Arshi i Tij ishte në ujë.”

Ata thonë: “Ky regjistrim i fatit është të shkru­arit e fateve me penë.” Ky hadith tregon se kjo kishte ndodhur pas krijimit të Arshit, pra me siguri Arshi është krijuar para penës me të cilën është shkruar fati, siç konsiderojnë shumica e dijetarëve muslimanë. Ndoshta hadithi rreth pe­nës tregon se pena është gjëja e parë e krijuar e kësaj bote. Këtë e vërteton edhe thënia, të cilën e përmend Buhariu prej Imran ibën Husajnit, i cili kishte thënë: “Banorët e Jemenit i kishin thënë të Dër­gu­arit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem: ‘Kemi ardhur që të mësojmë për fenë dhe të të pyesim për gjënë e parë (çka është krijuar së pari).’ Ai ishte përgjigjur: Ka ekzistuar Allahu dhe asgjë nuk kishte para Tij (në një transmetim thuhet:me Të, ndërsa në tjetrin: përveç Tij’). Arshi i Tij ka qenë në ujë, në Shkresë (Dhikër) është shkruar gjithçka dhe Ai i ka krijuar qiejt dhe Tokën.” Në versionin tjetër thuhet: “...pastaj i ka krijuar qiejt dhe Tokën.

Pastaj e kishin pyetur për fillimin e krijimit të qiejve dhe të Tokës. Pasi që kishin thënë: “Kemi ardhur që të pyesim për gjënë e parë (çka është krijuar së pari)”, ai ishte përgjigjur vetëm në atë që e kishin pyetur dhe nuk i kishte lajmëruar për krijimin e Arshit, siç e kishte bërë këtë në hadithin, të cilin e përmendëm. Ibën Xheriri dhe disa të tjerë thonë: “Jo, Allahu e ka krijuar ujin para Arshit.” Ibën Mes’udi r.a. transmeton prej sahabëve të të Dërguarit të Allahut sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, të cilët kishin thënë: “Me të vërtetë Froni i Allahut (Arshi) ishte në ujë dhe nuk ishte krijuar asgjë përveç ujit që ishte krijuar më parë.” Ibën Xheriri tregon se Muhamed ibën Isha­ku kishte thënë: “Gjëja e parë, të cilën Alla­hu e kishte krijuar kanë qenë drita (nuri) dhe terri, pastaj i kishte ndarë ato dhe kishte bërë që terri t’i takojë natës dhe ajo të jetë e zezë dhe e errët, ndërsa drita t’i takojë ditës dhe ajo të jetë e ndritshme dhe që shkëlqen.” Ibën Xheriri kishte thënë: “Thuhet: ‘Zoti ynë pas penës e kishte kri­juar Kursinë, pastaj pas Kursisë e kishte krijuar Arshin, pastaj dritën dhe terrin, ndërsa pas këtyre e kishte krijuar ujin dhe Arshin e Tij e kishte vendosur në ujë.’” Ebu Erake kishte thënë: “Një njeri e kishte pyetur Abdullah ibën Amrin se prej çka janë krijuar krijesat, me ç’rast ai ishte përgjigjur: ‘Prej dritës, territ, ujit dhe dheut’, pastaj kishte thënë: ‘Shkoni tek ibën Abasi r.a. dhe pyeteni atë!’ dhe ata kishin shku­ar dhe e kishin pyetur dhe ibën Abasi ua kishte thënë të njëjtën gjë. Madje, ai u kishte thënë: ‘Kthehuni dhe pyeteni se prej çka janë krijuar të gjitha këto!’ Ata ishin kthyer dhe e kishin pye­tur, ndërsa ai kishte lexuar: “Ai ka vënë në shërbimin tuaj çka gjendet në qiej dhe në Tokë, të gjitha janë prej Tij. Me të vërtetë, në këto ka shenja për njerëzit që mendojnë.” (El-Xhathije, 13)

Unë konsideroj se këto qëndrime janë të ba­zuara në israiliate, të cilët as që janë të vërtetë e as që janë gënjeshtra, përveç atyre për të cilat sillet argumenti i vërtetësisë ose i gënjeshtrës, ndërsa Allahu e di më së miri.

 

¹ Shih Tefsir ibën Kethir 2/220, në komentimin e sures El A’raf ajeti i 54.

² E përmend Buhariu dhe imam Ahmedi në ‘Musnedin’ e tij.

³ E përmend Tirmidhiu, Ibën Maxhe dhe Imam Ahmedi në ‘Musnedin’ e tij. Shejh Albani ka thënë se Senedi i këtij hadithi është daif.

E përmend ebu Davudi, Tirmidhiu dhe imam Ahmedi në ‘Musnedin’ e tij. Hadithi është hasen.

E përmend Muslimi.

Marrë nga libri: ”Mrekullia e krijimit”
Botoi: Shoqata Islame ”AL NOUR – DRITA” www.Drita.se
Autor: Ibën Kethir

Shko lart