JSN Teki - шаблон joomla Оригами

Allahu i Lartësuar ia zbulon dhe ia tregon robit dhe lajmëtarit të Tij, të Dërguarit analfabet, salallahu alejhi ue selem, ndodhitë e shpalljeve të mëhershme të cilat ai më parë nuk i kishte ditur. Allahu i Lartësuar ia tregon ndodhitë ashtu siç kanë ndodhur në të kaluarën, pikërisht ashtu siç kishin ndodhur atëbotë. Madje, Allahu i Lartësuar e veçon atë që me të vërtetë ka ndodhur prej asaj që është e shpikur (se ka ndodhur), ndërsa pikërisht kjo ndarje (veçim) i të vërtetës nga e pavërteta e bën (Kur'anin) krejtësisht tjetër prej shpalljeve më parë të shpallura (libra që i kanë shtrembëruar njerëzit).

Allahu i Lartësuar ka thënë: "Këto janë disa nga rrëfimet e panjohura (për ty), që po t'i shpallim ty, e që para këtij (Kur'anit) nuk i ke ditur as ti as populli yt. Pra, të jesh i durueshëm se përfundimi (i lavdishëm) është për të devotshmit." (Hud, 49) Po ashtu thotë: "Po kështu, Ne të rrëfejmë ty për disa nga ndodhitë që kanë kaluar më herët dhe nga ana jonë ta dhamë ty shpalljen plot përkujtime. Kush i kthen shpinën kësaj (shpalljes - Kur'anit), në Ditën e Kijametit ai do të bartë barrën më të rëndë." (Ta Ha, 99-100)

Allahu i Lartësuar gjithashtu ka thënë: "Ne edhe ty (Muhamed) ta zbritëm librin (Kur'anin) e vërtetë që është vërtetues i librave të mëparshëm dhe garantues i tyre. Gjyko mes tyre me atë që Allahu e zbriti, e mos pëlqe epshet e tyre e të largohesh nga e vërteta që të erdhi. Për secilin prej jush, Ne caktuam ligj e program (të përveçëm në çështje të veprimit). Sikur të donte Allahu, Ai do t'ju bënte një popull (në fe e sheriat), por deshi t'ju sprovojë në atë që ua dha juve, andaj ju (besimtarë) përpiquni për punë të mira. Kthimi i të gjithë juve është te Allahu, e Ai do t'ju njoftojë me atë që kundërshtonit." (El-Maide, 48)

"Ti (Muhamed) nuk lexoje ndonjë libër para këtij, e as që e shkruaje atë me dorën tënde të djathtë, sepse atëherë do të dyshonin të prishurit. Por jo, ai është plot argumente të qarta në zemrat e atyre që u është dhënë dituria, e argumentet Tona nuk i mohon askush përveç të shfrenuarve. Ata thanë: "Përse të mos i ketë zbritur atij një mrekulli nga Zoti i tij?" Thuaj: "Çështja e mrekullive është vetëm në duart e Allahut, e unë jam vetëm një tërheqës i vërejtjes dhe shpjegues. Po a nuk u mjaftoi atyre që Ne ta shpallëm librin, i cili u lexohet atyre, e s'ka dyshim se kjo është dhuratë e përkujtim për njerëzit që duan të besojnë". Thuaj: "Mjafton që Allahu është dëshmitar ndërmjet meje dhe jush, Ai e di se ç'ka në qiej e në tokë, e ata që i besuan të kotës e nuk e besuan Allahun, ata janë të dështuarit". (Ankebut, 48-52)

Allahu i Lartësuar tregon se vetëm shpallja e këtij libri Muhamedit, të Dërguarit analfabet, salallahu alejhi ue selem, është një libër, përmbajtja e të cilit sqaron se çfarë ka ndodhur në të kaluarën, çfarë do të ndodhë (në të ardhmen), dhe çfarë ka ndodhur me të vërtetë në atë kohë, mjafton që ta vërtetojë se ai e thotë të vërtetën.

Allahu, qoftë i lartësuar Ai, thotë: "Dhe kur atyre u lexohen ajetet Tona të qarta, ata që nuk besojnë takimin Tonë (ringjalljen), thonë: "Na sill një Kur'an tjetër, ose ndryshoje këtë!". Thuaj: "Mua nuk më takon që ta ndryshoj vetë, unë përcjell vetëm atë që më shpallet, dhe nëse e kundërshtoj Zotit tim i frikësohem dënimit të Ditës së madhe" (Junus: 16)

Thuaj: "Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t'ua kisha lexuar juve atë, as nuk do t'ju kisha njoftuar me të. Unë para tij kam jetuar një kohë në mesin tuaj (as nuk kam ditur as nuk kam lexuar), a nuk mendoni?" (Junus :17)

"A ka më mizor se ai që shpif ndaj Allahut gënjeshtër ose i përgënjeshtron faktet e Tij? Mëkatarët me të vërtetë që nuk kanë për të shpëtuar." (Junus, 15-17)

Prandaj u është thënë: "Unë nuk mund të ndryshoj asgjë me vetiniciativë, këtë të drejtë e ka vetëm Allahu i Lartësuar i Cili vepron çfarë të dojë dhe vullneti i të Cilit realizohet. Unë vetëm e transmetoj Porosinë, dhe ju e dini se unë po them të vërtetën, sepse jam rritur në mesin tuaj dhe ju e dini prejardhjen dhe ndershmërinë time. Asnjërin prej jush nuk e kam gënjyer, atëherë si do të gënjej për Allahun e Lartësuar, të Cilit i takon fuqia që t'ia japë secilit që i takon, e dobishme apo e dëmshme. Fuqia e Tij është mbi gjithçka dhe Ai është Njohës i të gjithave gjërave."

A ka mëkat më të madh sesa të thuash gënjeshtra për Allahun e Lartësuar dhe të pohosh se ka thënë diçka të cilën Ai nuk e ka thënë, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: "Sikur të trillonte ai (Muhamedi) për Ne ndonjë fjalë, Ne do ta kapim atë me fuqinë Tonë, e pastaj do t'ia këputnim atij arterien e zemrës, e askush prej jush nuk do të mund të ndërhynte për mbrojtjen e tij." (El-Haka, 44-47)

Kjo do të thotë se Allahu i Lartësuar do ta dënojë me dënimin më të madh secilin që gënjen për Të. Asnjë banor i Tokës nuk mund ta pengojë Allahun e Lartësuar në kryerjen e këtij dënimi.

Allahu i Lartësuar ka thënë: "Kush është më gabimtar i madh se sa ai që trillon ndaj Zotit, ose thotë: "Mua po më shpallet e nuk i është shpallur asgjë, ose sesa ai që thotë: "Do të thur diçka të ngjashme me atë që e ka zbritur Allahu". Sikur t'i shihje mizorët kur janë në agoni të vdekjes, e engjëjt kanë shtrirë duart e veta (me ndëshkim) e (u thonë): "Shpëtojeni vetveten (nëse mundeni)". "Tash përjetoni dënimin e turpshëm për shkak se thoshit të pavërtetën për Allahun, dhe ndaj argumenteve të Tij ishit kryeneçë". (En'am, 93)

Gjithashtu ka thënë: "Thuaj: "Cili send ka dëshminë më të madhe?" Thuaj: "Allahu është dëshmues mes meje e jush, e mua më është shpallur ky Kur'an që me të t'ju tërheq vërejtjen juve dhe atij që i komunikohet (dhe të gjithë atyre që vijnë pas jush deri në Ditën e Kijametit). Ju po dëshmoni se përveç Allahut ka edhe zota të tjerë?" Thuaj: "Unë nuk dëshmoj!" Ai është vetëm një Zot dhe unë jam i pastër nga ajo që ju i shoqëroni!" (En'am, 19)

Kjo do të thotë se Allahu është dëshmitar i çdo gjëje që ndodh, ndërsa Ai është dëshmitari më madhështor. Ai të shikon edhe ty edhe mua se si veprojmë ndaj asaj që e ka shpallur Ai. Ajo që i bën këto fjalë më të fuqishme, është fakti se ato në vetvete përmbajnë betimin solemn të të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, se Allahu e ka dërguar për gjithçka që ka krijuar që t'ua tërheq vërejtjen nëpërmjet fjalëve të Kur'anit. Secili që e ka dëgjuar Porosinë, konsiderohet se e ka dëgjuar edhe vërejtjen, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: "Ai që është (i mbështetur) në argument nga Zoti i tij dhe atë e përforcon dëshmia nga Ai, e para tij (Kur'anit) ishte (dëshmitar) libri i Musait (Tevrati) që ishte udhërrëfyes e mëshirë - (është i njëjtë me atë që ka për qëllim vetëm këtë jetë)? Të tillët (që janë në rrugë të drejtë) e besojnë (Kur'anin). E ata prej atyre grupeve të cilët e refuzuan atë, vendi i tyre është zjarri. E ti (Muhamed) mos ki dyshim në të, ai është e vërtetë nga Zoti yt, në të s'ka dyshim, por shumica e njerëzve nuk e besojnë." (Hud, 17)

Kur'ani përmban informata të vërteta për Allahun e Lartësuar, për melekët e Tij, për Fronin e Tij dhe për të gjitha krijesat e Tij. Ai po ashtu përfshin edhe njohurinë për qiejt dhe për Tokën dhe për gjithçka që është ndërmjet tyre. Madje, aty i gjejmë edhe ndodhitë e mëdha që kanë ndodhur, të vërtetuara me argumente të sakta që u mjaftojnë atyre që kanë mend, ashtu siç thotë Allahu i Lartësuar: "Ne u sqaruam njerëzve në këtë Ku'ran shembuj (argumente) të çdo lloji, e shumica e njerëzve deshën vetëm mohimin." (El-Isra, 89)

Allahu i Lartësuar po ashtu thotë: "Këta janë shembuj që Ne ua sjellim njerëzve, po këta nuk i kupton askush tjetër përveç dijetarëve." (El-Ankebut, 43) Po ashtu thotë: "Ne u kemi sjellë njerëzve në këtë Kur'an shembuj nga çdo lëmi e nevojshme, që ata të marrin përvojë (mësim), duke qenë se Kur'ani arabisht nuk ka kundërthënie, me qëllim që të ruhen prej rrugës së gabuar." (Ez-Zumer, 27-28)

Kur'ani i ndershëm po ashtu na tregon edhe për ndodhitë që kanë ndodhur në të kaluarën, si dhe për atë që ka qenë e shkruar në shpalljet e mëhershme (për të krishterët dhe hebrenjtë), pa marrë parasysh se Kur'ani i është shpallur njeriut analfabet. Ky njeri nuk ka qenë i pranishëm në asnjë ngjarje që ka ndodhur në mesin e popujve të mëhershëm, e as nuk ka lexuar ndonjë libër të tyre. Mirëpo, prapë se prapë, ai i kishte befasuar njerëzit me atë që u ka shpallur rreth ndodhive që janë përmendur në librat e mëhershëm, kështu që njerëzit të marrin mësim prej tregimeve për të dërguarit e mëhershëm dhe për popujt e tyre, që të mësojnë se si kanë vuajtur në mesin e tyre, se si Allahu i Lartësuar i ka shpëtuar besimtarët, dhe i ka shkatërruar mosbesimtarët. Këto tregime iu shpallën të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, me një stil të pakrahasueshëm. Tregimet janë shprehur shkurt, mirëpo shumë rrjedhshëm dhe me një stil të jashtëzakonshëm. Tregimi i përmendur njëherë në mënyrë të detajuar përmendet sërish në një vend tjetër, me strukturë të jashtëzakonshme gjuhësore. Ai që i lexon apo që i dëgjon këto sure kur'anore, ai ndjen sikur ato ngjarje është duke i shikuar me sytë e tij, sikur të ishte vetë i pranishëm brenda asaj ndodhie që po zhvillohet.

Allahu i Lartësuar ka thënë: "Ti nuk ke qenë pranë Kodrës Tur kur Ne e thirrëm (Musain), por (tregimi ynë) është mëshirë nga Zoti yt, për t'ia tërhequr vërejtjen një populli që para teje nuk u kishte ardhur ndonjë pejgamber, që ata të marrin mësim." (El-Ankebut, 46)

Allahu i Lartësuar ka thënë: "Këto janë nga lajmet e fshehta (të hershme) që po t'i shpallim ty. Ti nuk ishe ndër ta kur i hidhnin shortet se kush prej tyre do të bëhej kujdestar i Mejremes, dhe nuk ishe pranë tyre as kur ata ziheshin mes vete". (Ali Imran, 44)

Allahu, i lavdëruar qoftë Ai, po ashtu në suren Jusuf ka thënë: "Këto janë nga lajmet e panjohura, e Ne po t'i shpallim ty (Muhamed), se ti nuk ke qenë pranë tyre kur ata vendosën për çështjen e tyre (hudhjen e Jusufit në pus etj.) dhe kur bënin dredhi. Po ti edhe pse lakmon (për besimin e tyre), shumica e njerëzve nuk do të besojnë. Megjithatë, ti nuk kërkon prej tyre ndonjë shpërblim për të (për këshillë e udhëzim). Ai (Kur'ani) është vetëm një këshillë për mbarë njerëzit." (Jusuf, 102-104)

Ndërsa në fund të sures thotë: "Në tregimet e tyre (të dërguarve dhe të Jusufit me vëllezër) pati mësime e përvojë për të zotët e mendjes. Ai (Kur'ani) nuk është bisedë e trilluar, por vërtetues i asaj që ishte më parë (Librave të Shenjtë) dhe sqarues i çdo sendi, si dhe udhërrëfyes e mëshirë për një popull që beson." (Jusuf, 111)

Me të vërtetë Allahu i Lartësuar ka thënë: "Ata thanë: "Përse nuk na solli ai ndonjë argument nga Zoti i vet? A nuk u erdhi atyre sqarim (në Kur'an) për atë që ishte në broshurat e mëparshme?" (Ta Ha, 133)

Allahu i Lartësuar ka thënë:

"Thuaj: "Më tregoni, nëse ai (Kur'ani) është prej Allahut, e ju e mohuat atë, kush është më i humbur se ai që është në kundërshtim të fortë?" Ne do t'ua bëjmë atyre të mundshme që t'i shohin argumentet Tona në horizonte dhe në veten e tyre deri që t'u bëhet e qartë se ai (Kur'ani) është i vërtetë. A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?" (Fusilet, 52-53)

Allahu i Lartësuar ka premtuar se do ta dëshmojë vërtetësinë e Kur'anit dhe vërtetësinë e misionit të atij të cilin duke treguar se si e kishte krijuar në hapësirën e gjithësisë dhe ato janë shenja që argumentojnë se Kur'ani është i vërtetë. Këto argumente -argumentet e krijimit gjenden brenda tyre, ndërsa ata që e mohojnë Kur'anin, edhe pse ai është argument i mjaftueshëm kundër tyre, ata e dinë me siguri se ai është shpallur prej Allahut të Lartësuar nëpërmjet të Dërguarit të Tij të ndershëm, salallahu alejhi ue selem. Madje, Allahu i Lartësuar sjell edhe argumente të tjera: "A nuk mjafton që Zoti yt është dëshmitar për çdo gjë?", domethënë njohuria se Allahu i Lartësuar është dëshmitar i të gjitha këtyre gjërave dhe kjo mjafton që të vërtetohet se i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, është i vërtetë, sepse nëse ai thotë gënjeshtra për Allahun e Lartësuar, do të dënohej, ashtu siç e thamë më parë.

Po ashtu na njofton për ngjarjet që do të ndodhin në të ardhmen, njësoj siç na lajmëron edhe për ato në të kaluarën. Ja një shembull: "Ai e dinte se nga ju do të ketë të sëmurë dhe të tjerë që gjallërojnë nëpër tokë duke kërkuar nga begatitë e Allahut, si dhe të tjerë që luftojnë në rrugën e Allahut." (Muzemil, 20)

Ky ishte njëri prej ajeteve të para të shpallura në Mekë. Një shembull i ngjashëm përmendet edhe në suren Kamer (Hëna), i cili gjithashtu është shpallur në Mekë dhe për të cilën nuk ka divergjenca në mes të dijetarëve.

"Grupi do të pësojë disfatë dhe ata do të kthehen prapa. Por jo, afati i tyre është Kijameti, e Kijameti është më i vështirë dhe më i hidhur." (El-Kamer, 45-46)

Disfata që përmendet këtu, ka të bëjë me mosbesimtarët, dhe ka ndodhur në Betejën e Bedrit, që ka ndodhur pas shpalljes së këtij ajeti.¹

Në Kur'anin madhështor ka ligje dhe dispozita të drejta, që në vetvete mbartin urtësi të mëdha për të cilat nëse mediton mendja dhe logjika e shëndoshë do të dalë në rezultatin se këto ligje dhe dispozita i ka zbritur i Dituri, mëshiruesi i njerëzimit, i cili vepron me mëshirë dhe fisnikëri. Allahu i Lartësuar thotë: "Fjalët e Zotit tënd janë plot të vërteta (në ato që lajmërojnë) dhe plot të drejta (në ato që gjykojnë)." (En-Am 115)

"Elif, Lam, Ra. (Ky është) Libër, ajetet e të cilit janë radhitur (në mënyrë të përsosur) dhe shkoqitur nga i Dituri (i të gjitha çështjeve). (Hud: 1)

Allahu i Lartësuar ka thënë në Kur'an: "Ai (Allahu) e dërgoi të dërguarin e Tij me udhëzim të drejtë e fe të vërtetë, për ta bërë që të dominojë mbi të gjitha fetë, edhe pse e urrejtën idhujtarët" (Et-Teube, 33) që do të thotë se Ai e ka dërguar të Dërguarin e Tij, salallahu alejhi ue selem, me diturinë konkrete dhe me udhëzimin në rrugën e devotshmërisë. Transmetohet prej Ali ibën Ebi Talibit, radijallahu anhu, se kishte thënë: "Ky është libri i Allahut në të cilin janë lajmet për atë që ka qenë para jush, për atë që po ndodh në kohën tuaj dhe për atë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen."²

¹Se'id bin Xhubejri, transmeton se Sa'd bin Ebi Vekkasi ka thënë: "Kur janë shpallur fjalët e Allahut të Lartësuar: "Grupi do të pësojë disfatë dhe ata do të kthehen prapa", unë nuk e dija se cili grup do të pësonte. Mirëpo në ditën e Bedrit e kam parë të Dërguarin, salallahu alejhi ue selem, se si u ngrit dhe tha: "O Allahu im! Të gjitha gjepurat dhe kryelartësitë e kurejshëve i ka nxitur që të të mohojnë Ty dhe janë të gatshëm që të jenë kryeneçë ndaj të dërguarit Tënd. O Allahu im! Unë pres fitoren që më ke premtuar. Të lutem me përdëllim o Allah, që t'i shkatërrosh armiqtë." Pastaj lexoi: "Grupi do të pësojë disfatë dhe ata do të kthehen prapa." Pastaj Sa'di kishte thënë: "Qysh atëherë e kam kuptuar komentin e këtij ajeti." Kjo është një prej muxhizeve të të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, kur kishte folur për ngjarjet e ardhshme që kishin ndodhur pikërisht ashtu siç i kishte treguar ai. (Shih më detajisht Tefsir të Imam El-Kurtubiut) Gjithashtu Buhariu e transmeton nga Ibën Abasi dhe Umer ibën Hatabi kometinin e ajetit; po ashtu edhe nga Umer ibën Hatabi.
²Ky kontekst është testamenti i Aliut, radijallahu anhu, të cilin e transmeton Tirmidhiu (2906) dhe është i dobët. Shih "Daif Sunen Tirmidhi, nr. 554 .

Përgaditur nga: Aktivistët e shoqatës/xhamis "Al Nour Drita" - www.Drita.se 

Shko lart