JSN Teki - шаблон joomla Оригами

Qysh prej kohës së Ibrahimit, alejhi selam, arabët vinin çdo vit në Mekë për të kryer haxhin. Për këtë shkak, Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, në muajt e haxhit shkonte në mesin e fiseve arabe që kishin ardhur për shkak të haxhit, me qëllim që t'u transmetonte porosinë, që t'i ftonte për te Allahu i Lartësuar dhe nën krahët e Islamit. Këtë ai e bënte me durim edhe me ata që i besonin, edhe me ata që e kundërshtonin, si dhe me ata që largoheshin prej tij. Kështu veproi derisa u takua me banorët e Medinës që ishin fqinj me hebrenjtë dhe të cilët e dinin ardhjen e tij dhe përshkrimin e tij prej librave të tyre. Kur u takuan me të Dërguarin, salallahu alejhi ue selem, ata e dinin se ai është i dërguari i parashikuar për të cilin flisnin hebrenjtë. Ata i kishin dëgjuar lajmet për Porosinë e tij e cila ishte përhapur në tërë rajonin për dhjetë vjet, sa kishte kaluar prej fillimit të tij. Ata kishin besuar te ai, i kishin dhënë besën dhe garancinë e sigurisë nëse ai dhe sahabët e tij shpërngulen në Medinë dhe se së bashku me të do të luftojnë në rrugën e Allahut (xhihad).

Për këtë shkak Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, dhe ithtarët e tij ishin shpërngulur në Medinë, ku muhaxhirët dhe ensarët jetonin bashkërisht. Asnjëri prej tyre nuk e kishte lënë Islamin as për kënaqësitë e kësaj bote, e as për shkak të frikës, përveç disa ensarëve të cilët sipërfaqësisht e kishin pranuar Islamin (munafikët), prej të cilëve disa u penduan dhe u bënë më të mirë në dinin e tyre (në besimin dhe në bindjen e tyre). I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, e kishte lejuar që të shkohet në xhihad pasi ishte urdhëruar që të luftojë kundër mosbesimtarëve. Ai e kishte vazhduar rrugëtimin e tij në fenë e Allahut, në rrugën më të mirë me nder, me drejtësi dhe duke i përmbushur në tërësi të gjitha premtimet e tij. Nuk dihet që të ketë gënjyer dikë, të ketë shtypur dikë apo t'i ketë bërë ndonjë padrejtësi. Ai ishte më i ndershmi, më i drejti dhe më i sakti në përmbushjen e premtimeve në mesin e njerëzve. Gjithmonë ishte i këtillë, pa marrë parasysh situatat dhe rrethanat e ndryshme nëpër të cilat kishte kaluar, në luftë apo në paqe, në siguri apo rrezik, në pasuri apo në varfëri, qoftë i fortë apo i dobët. Ishin pak në numër, mirëpo numri i tyre sa vinte e shtohej. Kishin qëndruar të fortë edhe kur i kishin mundur armiqtë por edhe kur kishin pësuar disfatë.

Nëpër të gjitha këto faza, ai gjithmonë kishte shkuar drejt një qëllimi, derisa thirrja e tij u rrënjos thellë në tërë Gadishullin Arabik, në të cilin para tij dominonte paganizmi, neveria, adhurimi i krijesave të Allahut, mohimi i Allahut të Lartësuar, derdhja e gjakut të atyre që e kishin të ndaluar t'i vrasin, ndërprerja e lidhjeve farefisnore dhe në fund nuk kishin besuar në botën tjetër apo në Ditën e Gjykimit. Njerëzit të cilët i kishin bërë të gjitha këto gjëra, kur e kishin pranuar Islamin dhe kur filluan t'i pasojnë udhëzimet e tij, ata u bënë njerëzit më të edukuar në tokë, njerëzit më të devotshëm, më të drejtë dhe më të mirët në mesin e njerëzve deri në atë masë, saqë kur të krishterët i kishin parë muslimanët që kishin ardhur në Siri, kishin thënë: "As nxënësit e Jezusit nuk kanë qenë më të mirë se këta njerëz (d.m.th. se muslimanët)." Efektet e mbresave që i kanë lënë në tokë sa i përket veprave të mira dhe diturisë, në krahasim me mbresat e lëna prej të tjerëve, për secilin njeri të mençur janë të qarta. Mirëpo, edhe pse feja me të cilën kishte ardhur i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ishte forcuar dhe ishte bërë e pranueshme për të gjithë, dhe ai ishte i dashur nga të gjithë ithtarët e tij më shumë se pasuria dhe jetët e tyre, ai kishte vdekur duke mos lënë pas vetes asnjë dërhem e asnjë dinar, madje as trashëgimtarët e tij nuk e kishin të lejuar që të trashëgojnë diçka prej asaj që kishte mbetur pas tij. Ai ishte i qëndrueshëm, duke treguar në mënyrë të çuditshme shenjat dhe muxhizet në thirrjen e tij. Ai u tregonte sahabëve për të kaluarën e panjohur, për atë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, u tregonte se ku kanë të drejtë, dhe po ashtu edhe se ku gabojnë. Ai u lejoi të gjitha gjërat e dobishme, dhe u ndaloi gjithçka që ju bënte dëm. Sheriati i është shpallur pjesë-pjesë të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, dhe ai i mësonte njerëzit me atë që u kishte shpallur atij derisa u kompletua feja e Allahut.

Sheriati që iu shpall atij është absolutisht i kompletuar. Nuk ka vepër të mirë e të devotshme që nuk është përmendur, as të keqe të cilën edhe mendja e shëndoshë e njeh e të mos jetë e ndaluar. Kurrë nuk ka ndaluar ndonjë gjë që do të shkaktonte reagim negativ e që të thuhet: "Do të kishim dashur që këtë mos të na e urdhërojë," as që ka ndaluar diçka që të veprohet apo që të kemi dobi prej saj e që do të nxiste dikë të thotë: "Do të kishim dashur sikur mos të na e kishte ndaluar që ta bëjmë këtë." Ai ua bëri të ligjshme të gjitha gjërat e dobishme të cilat për fat të keq disa religjione të tjera i ndalojnë. Ka ndaluar gjithçka që është e keqe të cilat për fat të keq disa religjione të tjera i lejojnë. Nuk ka asgjë që është përmendur për Allahun e Lartësuar, për melekët apo për Ditën e Gjykimit në shpalljet e mëparshme, në Tevrat, Inxhil apo në ndonjërën prej fletushkave (suhufeve), që i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, të mos fliste për atë në mënyrën më të mirë, madje edhe më mirë se mënyra me të cilën është folur në ndonjë prej librave të përmendur. Nuk ka asnjë gjë e cila në shpalljet e mëparshme nxit në devotshmëri dhe në kryerjen e veprave të mira e të cilën i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, të mos e kishte urdhëruar që të kryhet, madje edhe në formën më të rreptë.

Nëse njeriu i mençur e krahason ibadetin, dënimet e caktuara me Islam dhe dispozitat e tjera të cilat i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, i ka caktuar, me dispozitat e popujve të tjerë dhe të feve të tyre, do të shihje superioritetin e Islamit. Nëse e krahasojmë diturinë, dinin (besimin dhe bindjen), ibadetin dhe nënshtrimin ndaj Allahut të Lartësuar të cilën e shprehin muslimanët, me popujt e tjerë, do të ishte shumë e qartë se më shumë guxim dhe fuqi gjendet në zemrat e muslimanëve. Nëse zemërgjerësinë, devotshmërinë dhe faljen e tyre e krahasojmë me të tjerët, të gjithë të mençurit do ta kishin të qartë se te muslimanët këto vlera janë në nivelin më të lartë.

Muslimanët i kanë mësuar këto virtyte dhe i kanë pranuar ato prej të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, i cili ua kishte urdhëruar një sjellje të tillë. Ata nuk kanë përcjellur ndonjë shpallje të mëparshme që kanë ardhur që ta kompletojnë atë të mëparshmen, siç ka ardhur Isa, alejhi selam, që ta plotësojë sheriatin e shpallur në Tevrat. Në anën tjetër, virtytet e ithtarëve të Jezusit dhe dituria e tyre pjesërisht janë marrë prej Tevratit, një pjesë prej të dërguarve të tjerë e të ngjashme. Në krishterizëm po ashtu pjesërisht janë futur mësimet e filozofëve, madje edhe disa principe të caktuara ateiste që janë kontradiktore me fenë e Jezusit.

Pasuesit e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, nuk kishin shpallje konkrete para Porosisë së tij të shpallur. Madje, shumica prej tyre kurrë nuk e kishin besuar Musain, alejhi selam, Isain, alejhi selam, Davudin, alejhi selam, Tevratin, Inxhilin apo Suhufet, deri në paraqitjen e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, që i kishte urdhëruar që ta besojnë dhe t'i pranojnë të gjithë të dërguarit dhe shpalljet prej Allahut të Lartësuar. Ai ia ndaloi atyre që të bëjnë dallim ndërmjet të dërguarve, sepse Allahu i Lartësuar ka thënë: "Ju (besimtarë) thoni: "Ne i besuam Allahut, atë që na u shpall neve, atë që iu shpall Ibrahimit, Ismailit, Is'hakut, Jakubit dhe pasardhësve (të Jakubit që ishin të ndarë në dymbëdhjetë kabile), atë që i është dhënë Musait, Isait dhe atë që iu është dhënë nga Zoti i tyre pejgambereve. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin prej tyre dhe ne vetëm Atij i jemi bindur. Në qoftë se ata besuan ashtu siç besuat ju, ata vërtet kanë gjetur rrugën e drejtë, e nëse refuzojnë, atëherë ata janë kundërshtarë (opozitë), po ty (Muhamed) kundër tyre do të mjaftojë Allahu. Ai është dëgjuesi, i dijshmi." (El-Bekare, 136-137)

Allahu i Lartësuar ka thënë edhe këtë: "I dërguari i besoi asaj që iu shpall prej Zotit të tij, e ashtu edhe besimtarët. Secili i besoi Allahut, engjëjve të Tij, shpalljeve të Tij, të dërguarve të Tij. Ne nuk bëjmë dallim në asnjërin nga të dërguarit e Tij, dhe thanë: "Iu përgjigjëm thirrjes dhe respektuam urdhërin. Kërkojmë faljen tënde o Zoti ynë! Vetëm te Ti është ardhmëria jonë". Allahu nuk e obligon asnjë njeri përtej mundësisë së tij, atij (njeriut) i takon ajo që e fitoi dhe atij i bie ajo (e keqe) që e meritoi. "Zoti ynë, mos na dëno nëse harrojmë ose gabojmë! Zoti ynë, mos na ngarko neve me barrë të rëndë siç i ngarkove ata që ishin para nesh! Zoti ynë, mos na ngarko me atë për të cilën ne nuk kemi fuqi! Na i shlyej mëkatet, na i mbulo të këqijat, na mëshiro. Ti je mbrojtësi ynë, na ndihmo kundër popullit pabesimtar!" (El-Bekare, 285-286)

Ummeti i Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, nuk ia ka lejuar vetes që në fenë e tyre të fusin ndonjë risi, përveçse në ibadete, asgjë prej asaj që nuk është shpallur prej Allahut të Lartësuar. Ata besojnë vetëm në atë me të cilën ka ardhur Muhamedi, salallahu alejhi ue selem, në tregimet të cilat ua ka treguar i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, për të dërguarit e mëparshëm dhe për popujt e tyre, me qëllim që të nxjerrin mësim prej tyre. Pa marrë parasysh se çfarë kanë thënë pjesëtarët e shpalljeve të mëparshme për ta, ata besojnë vetëm në atë që është në pajtim me Kur'anin dhe sunetin. Ata përmbahen që ta pranojnë atë të cilën nuk e dinë nëse kjo është e vërtetë apo gënjeshtër, madje as që duan ta komentojnë nëse kjo është e vërtetë ose gënjeshtër. Atë që e dinë me siguri se është gënjeshtër, atë e refuzojnë dhe e vërtetojnë se kjo definitivisht nuk është e vërtetë. Ata që përpiqen që të fusin diçka në Islam, si urtësia indiane, filozofia greke apo persiane ose diçka tjetër, muslimanët i konsiderojnë për risimtarë në fe, madje se në vetvete kanë cilësitë e mosbesimit. Kështu ishte feja e sahabëve të të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, dhe e atyre që kanë ardhur pas tyre dhe i këtillë ende është qëndrimi i dijetarëve Islamë dhe i muslimanëve në përgjithësi. Kush ka qëndrim të kundërt me këtë bindje, ai i është nënshtruar turpit dhe është larguar prej bashkësisë së Ehli-sunne ve-lxhema'atit (thelbit të Islamit). Ithtarët e vërtetë të Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, janë përshkruar me fjalët e të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem: "Ithtarët e mi do të fitojnë në luftë për të vërtetën dhe nuk do të prishet harmonia e tyre prej atyre që e kontestojnë apo që ngrihen kundër saj, deri në Ditën e Kijametit."6

Disa muslimanë të cilët përgjithësisht i pranojnë principet fundamentale të Islamit dhe misionin e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, ata kontestojnë disa pjesë të tij. Kush është në qëndrimin e kundërt me këto principe fundamentale, ai konsiderohet mosbesimtar i urryer. Muslimanët nuk janë si të krishterët të cilët e shpikën fenë që nuk është feja e Jezusit e as e ndonjë të dërguari tjetër. Allahu i Lartësuar i ka dërguar pejgamberët e tij që t'i mësojnë njerëzit me diturinë e dobishme dhe që t'i nxisin ata në kryerjen e veprave të mira. Kush i pason të dërguarit në fjalët dhe veprat e tyre, do të jetë i lumtur në këtë dhe në botën tjetër, ndërsa kush nuk vepron kështu, ai do të bie në humnerën e risive. Allahu i Lartësuar kur e dërgoi Pejgamberin e Tij, salallahu alejhi ue selem, me udhëzimin dhe me besimin në të vërtetën, muslimanët e pranuan këtë udhëzim direkt prej tij.

________________________________________________

6 E përmend Buhariu.

Marrë nga libri: ”Mrekullitë e Muhamedit(sallallahualejhiveselem)”
Botoi: Shoqata Islame ”AL NOUR – DRITA” www.Drita.se
Autor: Hafidh Ibën Kethir
Përgaditur nga: Aktivistët e shoqatës/xhamis "Al Nour Drita" - www.Drita.se 

Shko lart