JSN Teki - шаблон joomla Оригами

Një prej argumenteve më të mëdha të pejgamberisë është ndarja në dysh e Hënës. Allahu i Lartësuar ka thënë:

"Momenti (i katastrofës së përgjithshme) është afruar, e hëna është ndarë (në dysh). Por ata (idhujtarët) edhe nëse shohin ndonjë argument (mrekulli) zbrapsen e thonë: "Kjo është magji e vazhdueshme!" Ata përgënjeshtruan e ndoqën dëshirat e veta, por çdo çështje e arrin cakun e fundit. Atyre u patën ardhur lajme (të popujve të lashtë), ku ka mjaft qortime, (për ata që kuptojnë). Urtësi e përsosur (është Kur'ani)! Po sa bëjnë dobi qortimet?!"(El-Kamer, 1-5)

Në mesin e dijetarëve është pranuar me konsensus se Hëna është ndarë në dy pjesë në kohën e të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem. Mendimi i tyre mbështetet me hadith.

Imam Ahmedi transmeton nga Enesi r.a se ka thënë: Banorët e Mekës kishin kërkuar prej të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, që t'u tregojë ndonjë muxhize, dhe hëna ishte ndarë dy herë, dhe pastaj lexoi:

"Momenti (i katastrofës së përgjithshme) është afruar, e hëna është ndarë (në dysh). Por ata (idhujtarët) edhe nëse shohin ndonjë argument (mrekulli) zbrapsen e thonë: "Kjo është magji e vazhdueshme!" (El-Kamer, 1-2)

Këtë hadith gjithashtu e transmeton edhe Muslimi.

Imam Buhariu përmend një hadith të cilin e transmeton Enes ibën Maliku1 që kishte thënë:

"Banorët e Mekës kishin kërkuar prej të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, që t'u tregojë ndonjë mrekulli dhe ai u tregoi Hënën që ishte ndarë në dy pjesë, kështu që shumë qartë mundën ta shikojnë pjesën e zbrazët ndërmjet atyre dy pjesëve."2

Xhubejr ibën Mutim transmeton nga i ati i vet se ka thënë: "Hëna në kohën e Muhamedit a.s u ça në dy pjesë, një pjesë në këtë kodër e tjetra në kodrën tjetër. Mushrikët thanë: Muhamedi ka bërë magji, mirëpo disa thanë se sikur të kishte bërë magji nuk do të na kaplonte të gjithëve."

Imam Buhariu përmend një hadith prej Ibën Abbasit3, radijallahu anhu: "Hëna u nda në dy pjesë në kohën e Muhamedit, salallahu alejhi ue selem."

Imam Buhariu përmend një hadith të cilin e transmeton Abdullah ibën Mes'udi4, radijallahu anhu: "Gjatë kohës së Muhamedit, salallahu alejhi ue selem, Hëna u nda në dy pjesë dhe i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, tha: "Bëhu dëshmitar i kësaj."5

Të gjitha transmetimet që i transmetojnë sahabët e të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, janë sqarim i asaj që është thënë në Kur'an për të njëjtën gjë. Nuk ka dyshim se kjo mrekulli ka ndodhur gjatë jetës së të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem.

____________________________________________________________
1) Enes ibën Malik ibën En-Nadri, radijallahu anhu, ishte siç e kanë quajtur, shërbëtor i të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, dhe ishte krenar për këtë titull.
Ai i kishte shërbyer të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, për dhjetë vjet. I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, për të kishte bërë du'a që të jetë i bekuar tërë jetën e tij dhe që të ketë jetë të gjatë. Enesi, radijallahu anhu, kishte një kopsht me pemë, prej frutave të të cilëve nxirrte lëng dy herë në vit. Në atë kopsht ai kishte edhe një plantacion me borzilok prej të cilit fitonte bimë aromatike. Atij i kishin lindur tetëdhjetë pasardhës. Ai kishte jetuar 120 vjet. Ishte sahabiu i fundit i të Dërguarit, salallahu alejhi ue selem, dhe kishte vdekur në Basra.

2) Është regjistruar te Imam Buhariu në Sahihun e tij në kaptinën: "Virtytet e pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe të sahabëve të tij", në pjesën: "Kërkesa e paganëve që i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, t'u tregojë një muxhize." Gjithashtu e regjistron edhe Muslimi

3) Ibn Abbasi, radijallahu anhu, është Abdullah ibën Abbas ibën Abdulmutalibi, i afërmi i pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, i cili e kishte thirrur `Terxhumanul-Kur'an', domethënë komentues i Kur'anit." Për të, i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka bërë du'anë: "O Allah, mësoje me urtësi." Ai ka vdekur në Taif në vitin 68 të Hixhretit, në moshën shtatëdhjetë vjeçare.

4) Abdullah ibën Mes'udi, radijallahu anhu, e kishte pranuar Islamin shumë herët. Atij i kishin paraprirë vetëm pesë njerëz. I pari kishte lexuar Kur'an në Mekë publikisht dhe me zë. I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, kishte dashur ta dëgjojë kur lexonte. Ka vdekur në vitin 32 të Hixhretit në Medinë.

5) E përmend Imam Buhariu në Sahihun e tij prej Ibn Mes'udit në kaptinën: "Virtytet e pejgamberit, salallahu alejhi ue selem, dhe të sahabëve të tij", në pjesën: "Kërkesat e paganëve që i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, t'ua tregojë një muxhize." Dhe Imam Ahmedi dhe Muslimi


Përgaditur nga: Aktivistët e shoqatës/xhamis "Al Nour Drita" - www.Drita.se
Autor: Hafidh Ibën Kethir

Shko lart